Njeriu, në mënyrë të pashmangshme dashuron. Të dashurosh don të thotë të shkosh përtej vetvetes dhe të përqëndrosh ndjenjat tek një objekt i dashurisë. Ajo, që e bënë të pashmangshme pse njeriu duhet të dashurojë, është përsëri, mospërfundimi i tij. Një njeri mund të dashurojë: (1) objekte fizike; (2)persona të tjerë; ose edhe (3) vetveten. Augustini theksonte se të gjitha sendet në botë janë të mira, sepse të gjitha sendet vijnë nga Zoti, i cili është mirësia vetë. Si pasojë, të gjitha sendet janë objekte të ligjshme të dashurisë. Çdo gjë që njeriu dashuron do t’i sigurojë atij një masë të kënaqësisë dhe të lumturisë. Asgjë nuk është e keqe në vetvete; e keqja nuk është një gjë pozitive, por mungesa e diçkaje. Problemi moral i njeriut nuk qëndron aq shumë në të dashuruarit dhe në objektet që ai dashuron, por në mënyrën se si ai lidhet me objektet e dashurisë, dhe në premtimin që lidhet rezultatin e dashurisë së tij. Çdo njeri pret të arrijë lumturinë dhe realizimin e dëshirave nga dashuria edhe kur ata janë të mjeruar, jo të lumtur dhe të shqetësuar. Pse? Augustini fajëson dashurinë „jo të rregullt“ të njeriut.
E keqja dhe dashuria jo e rregullt – Çdo objekt dashurie është i ndryshëm dhe për këtë arsye pasojat e të dashuruarit të tyre do të jenë të ndryshme. Po kështu, nevojat njerëzore, të cilat nxisin aktin e të dashuruarit, janë gjithashtu të ndryshme. Ajo, që përbën faktin kryesor për njeriun është se gama e nevojave të tij përfshinë jo vetëm: (1)objektet; (2) personat e tjerë; (3) vetveten, por gjithashtu, dhe mbi të gjitha (4) Zotin. Nuk ka mënyrë që të eliminosh këtë fakt për njeriun. Çdo nevojë e njeriut, gjithashtu, ka një masë. Nevojat bazë për ndjenjat njerëzore nuk mund të kënaqen nga sendet. Kjo është veçanërisht e vërtetë për nevojat shpirtërore të njeriut. Njeriu – thot Augustini, është krijuar që të dojë Zotin. Zoti është i pafund. Atëherë, natyra e njeriut ishte krijuar në mënyrë të tillë, që vetëm Zoti, pafundësia, mund t’i japë atij kënaqësinë ose lumturinë e skajshme. “Kur, - thotë Augustini – vullneti, i cili është e mira e ndërmjetme, mbështet të mirën e pandryshueshme... njeriu gjen këtu jetën e bekuar” sepse, „të jetosh mirë, nuk do të thotë gjë tjetër, veçse ta duash Zotin...“. Të duash Zotin, i cili është i pafundëm, mund të kënaqë nevojën për pafundësinë.
Nëse objektet nuk janë të shkëmbyeshme; nëse sendet nuk mund të zëvendësojnë një person, atëherë as ndonjë send apo person i përcaktuar nuk mund të zëvendësojë Zotin. Të gjithë njerëzit, me siguri, presin që ata mund të arrijnë lumturinë e vërtetë duke dashuruar objekte, persona të tjerë dhe veten e tyre. Por të gjitha këto janë objekte legjitime të dashurisë; dashuria e njeriut për to është jo e rregullt, kur këto objekte dashurohen për hirë të lumturisë së skajme. Dashuria jo e rregullt konsiston në pritjen më shumë se ç’duhet nga ajo që mund të sigurojë një objekt i dashurisë. Dashuria jo e rregullt sjell të gjitha format e patologjisë në sjelljen njerëzore. Egoizmi normal shndërrohet në fodullëk, dhe fodullëku është mëkati kryesor, që moleps të gjitha aspektet e sjelljes njerëzore. Thelbi i fodullëkut është besimi i tepër në vetvete. Fakti i përhershëm për njeriun është se ai, në të vërtetë nuk është i kënaqur me veten, as fizikisht, as emocionalisht dhe as shpirtërisht. Fodullëku i njeriut, i cili, e largon atë nga Zoti, e çon atë në shumë forma të mbifavorizimit, derisa ai përpiqet që të kënaqë një nevojë të pafund me gjëra të fundme.
Fakt rigoroz dhe i qëndrueshëm është se rindërtimi, shpëtimi i njeriut është i mundur vetëm duke rivënë në rregull dashurinë, duke dashur sendet e duhura ashtu siç duhet. Në të vërtetë, Augustini argumentonte se ne mund të dashurojmë një person ashtu siç duhet vetëm në qoftëse ne e duam më parë Zotin, sepse atëherë ne nuk do të prisnim të siguronim nga dashuria njerëzore atë që mund të sigurohej vetëm nga dashuria jonë për Zotin. Po kështu, ne mund të duam veten ashtu siç duhet, vetëm nëse ne i nënshtrohemi Zotit, sepse nuk ka mënyrë tjetër për të kapërcyer pasojat shkatërruese të fodullëkut, dhe pastaj për të eliminuar vetë fodullëkun.
Vullneti i lirë si shkak i së keqes – Augustini nuk ishte dakort me Platonin i cili thoshte se shkaku i të keqes ishte thjesht injoranca. Augustini thotë se “edhe ata që nuk besojnë” kanë aftësi për të “qortuar dhe për të vlerësuar drejt shumë gjëra në sjelljen e njeriut”. Fakti mbizotërues është se, në sjelljen e përditshme, njerëzit kuptojnë lavdërimin dhe qortimin vetëm sepse ata tashmë e kuptojnë se ata kanë një detyrë për të bërë, atë që është e lavdërueshme dhe ti largohen asaj që është e qortueshme. Vështirësia qëndron në atë se ai nuk është injorant, por se ai qëndron në prani të alternativave. Ai duhet të zgjedhë, ose të shkojë drejt Zotit ose t’i largohet atij. Shkurt, ai është i lirë. Çfarëdo rruge që njeriu do të zgjedh, ai vepron kështu me shpresën e gjetjes së lumturisë. E keqja ose faji, është një product i vullnetit. Të gjithë njerëzit zotërojnë edhe lirinë e vullnetit të tyre. Kjo liri e vullnetit, sidoqoftë, nuk është e njejtë me lirinë shpirtërore, sepse liria e vërtetë shpirtërore nuk është e mundur që të plotësohet në këtë jetë. Derisa e keqja shkaktohet përmes një akti të vullnetit të lirë, virtyti, nga ana tjetër, nuk është produkt i vullnetit të lirë të njeriut, por i hirit të Zotit. Ligji moral i tergon njeriut se çfarë duhet të bëjë, por tek e fundit i tregon se çfarë nuk mund të bëjë. Kështu, Augustini përfundon se “ligji ishte…dhënë që hiri duhet kërkuar; hiri thotë se ligji duhet plotësuar”. Ai, gjithashtu thotë se “mëkati shpartallohet kur rrëzohet nga dashuria për Zotin, të cilën vetëm Ai e jep, dhe vetëm Ai, përmes Jezu Krishtit ndërmjetës i Zotit dhe Njeriut, i cili e bënë vetveten të vdekshëm, me qëllim që net ë bëheshim të pavdekshëm.
Drejtësia – Për Augustinin, jeta publike ose politike ndodhej nën të njëjtin rregull të ligjit moral si jeta e njeriut individual. Augustini e shikon ligjin natyror si pjesmarrje intelektuale të njeriut në të vërtetë e Zotit, ose të ligjit të përketshëm të Zotit. Augustini e interpretoi ligjin e përjetshëm si arsye dhe vullnet të Zotit të krishterë, duke thënë se, “ligji i përjetshëm është arsyeja hyjnore dhe vullneti i perëndisë, i cili komandon mbajtjen (vëzhgimin) e rendit natyror të gjërave dhe pengon çrregullimin e tij”. Meqë ligji i përjetshëm është arsyeja e Zotit që komandon rregullsinë, kapja nga intelekti njerëzor i parimeve të përjetshme quhet ligji natyror.Kur shteti bën një ligj, thotë Augustini, ligje të tilla kohore duhet të jenë në përputhje me ligjin natyror, i cili, nga ana e vet, buron nga ligji i përjetshëm.
Argumenti kryesor i Augustinit në lidhje me ligjin dhe drejtësinë ishte se shteti nuk është i pavarur, se në bërjen e ligjeve shteti nuk shpreh thjesht fuqinë e vet për të nxjerrë ligje; shteti duhet gjithashtu të ndjekë kërkesat e drejtësisë. Ai pranon formulën që thoshte se “drejtësia është një virtyt i shpërndarë te çdo njeri siç i takon”. Por ai pyet, çfarë është e “përshtatshme” për çdo njeri? Për të drejtësia duhej të duhej të zbulohej në strukturën e natyrës njerëzore, në marrëdhëniet e saj me Zotin. Kështu ai thoshte se drejtësia është ‘zakon i shpirtit, i cili shpërndan te çdo njeri dinjitetin e përshtatshëm për të… Origjina e saj procedon nga natyra… dhe ky nocion i drejtësisë… nuk është produkt i opinionit personal të njeriut, por diçka e përhapur nga një fuqi e lindur”. Augustini argumentoi se në qoftëse ligjet e shtetit nuk ishin në harmoni me ligjin natyror dhe drejtësinë, atëherë ato nuk do kishin karakterin e ligjeve dhe as nuk do të kishim një shtet.
Duke e lidhur drejtësinë me ligjin moral Augustini argumentoi se drejtësia nuk është e kufizuar thjesht nga marrëdhëniet midis njerëzve. Marrëdhënia parësore në drejtësi është ajo midis njeriut dhe Zotit. Prandaj Augustini thoshte: “Nëqoftëse njeriu nuk i shërben Zotit, atëherë çfarë drejtësie mund të mendohet për të? Duke thënë se në qoftëse ai nuk i shërben Atij, shpirti nuk ka as sovranitet të plotë mbi trupin dhe as arsye mbi afeksionet”. Ai vazhdon më tej: “ A nuk e mban njeriu (kush është i padrejtë) veten larg nga Zoti dhe e vë veten në shërbim të djallit? T’i shërbesh Zotit, don të thotë ta duash Zotin; po gjithashtu kjo do të thotë ta duash edhe njeriun tjetër. Çfarë drejtësie është ajo që e ndan njeriun nga e vërteta e Zotit…?” T’i shërbesh Zotit dhe të duash njeriun tjetër janë, midis tjerash, të pranosh se të gjithë njerëzit do të duhet të kenë këtë të drejtë të patjetërsueshme dhe mundësinë për të dashur dhe për t’i shërbyer Zotit. Pra, gjithçka në etikë, bazohet mbi dashurinë e njeriut për Zotin dhe dashurinë për njeriun tjetër. Dashuria është baza e drejtësisë.
Augustini i njihte shtetit të drejtën që të përdorte forcën shtërnguese. Në fakt, shteti ëhstë produkt i kushtit mëkatar të njeriut dhe prandaj ekzisotn si agjensi e domosdoshme kontrolli. Ai thotë: “… një shoqëri nuk mund të jetë idealisht e bazuar pa disa themele dhe nga krahu i besimit dhe përputhja e fortë, ku objekti i dashurisë është e mira universale, e cila në karakterin e vetë më të lartë dhe më të vërtetë, është vetë Zoti, dhe ku njerëzit e duan njëri-tjetrin me sinqeritet të plotë tek Ai dhe baza e dashurisë për njëri-tjetrin është dashuria e Tij, nga sytë e të cilit ata nuk mund ta fshijnë shpirtin e dashurisë”.
Dy qytete dhe historia – Augustini thotë, se raca njerëzore mund të ndahet në ata që duan Zotin, nga njëra anë, dhe ata të cilët e duan vetveten dhe botën nga ana tjetër. Ata të cilët e donin Zotin, Augustini i quajti Qyteti i Zotit, dhe ata, që e donin veten dhe botën, ai i quajti Qyteti i Botës.
Duke theksuar se elementi vendimtar në formimin e një shoqërie është dashuria, që dominon midis anëtarëve të saj, ai vuri në dukje se ata që dashurojnë botën, gjenden në të dyja, në shtetin dhe në kishën. Pra nuk rezulton se kasha përmban të gjithë shoqërinë e quajtur Qyteti i Zotit. Po kështu gjenden në shtet ata që e duan Zotin. Prandaj këto dy qytete kryqëzoheshin mes vete dhe kudo që gjenden njerëz që duan Zotin, atje do të jetë Qyteti i Zotit, dhe kudo që janë ata që duan botën, atje do jetë Qyteti i botës.
Historia – Ajo që ai kupton me filozofi të historisë, ishte se historia ka një kuptim. Aristoteli e konsideronte të vështirë që historia të ishte në gjendje që t’ju mësonte njerëzve ndonjë dije të rëndësishme rreth njerëzimit, sepse ndryshe nga drama, historia merret me persona, kombe dhe ngjarje individuale, ndërsa drama merret me kushte dhe probleme të përgjithshme. Por Augustini mendonte se drama më e madhe nga të gjitha është historia njerëzore. Autori i saj, sidoqoftë është Zoti. Historia fillon me krijuesin; është saktësuar nga ngjarje të tilla vendimtare si Mëkati i njeriut dhe Mishërimi i Zotit tek Krishti. Asgjë nuk ndodh pa u lidh me urtësinë e skajshme të Zotit. Megjithate, ajo që ndodh është një pasojë e veprimeve njerëzore, veçanërisht veprimet e fajita dhe vesit. Kështu, kur gotët barbarë plaçkitën Romën në 410, paganët fajësuan të krishterët, duke thënë se prirjet e tyre të tepruara karshi dashjes dhe shërbimit ndaj Zotit sillnin dobësimin e patriotizmit dhe dobësimin e mbrojtjes së shtetit. Për t’u përgjigjur akuzave të tilla dhe shumë të tjerave, Augustini shkruajti librin e tij Qyteti i Zotit në 413. Në të ai argumentonte se rënia e Romës nuk ishte për shkak të veprimeve shkatërrimtare të të krishterëve, por përkundrazi e veseve të pafrenueshme nëpër të gjithë Perandorinë, ku besimi i krishterë dhe dashuria e Zotit mund të ishte penguar. Rënia e Romës, për Augustinin ishte pikërisht një shembull tjetër i futjes në histori të maturisë së Zotit, me anën e të cilit Ai po kërkonte të organizaonte Qytetin e Zotit dhe të frenonte Qytetin e Botës. Në këtë dramë, për Augustinin gjendej një kuptim universal dhe me vend, sepse të gjithë njerëzit duhet të dinin se fatet e tyre, ashtu si edhe fatet e shoqërive të tyre, janë të lidhura në mënyrë të paevitueshme me dy qytetet dhe me providencën e Zotit.